• Aug 22, 20
  • Albrafting

Emision fantastik me gazetarin Eni Shehu në “Edicionin Veror” 2020 dhe Albania Rafting Group.

Së bashku me stafin e ABC NEWS  sollëm dy nga udhëtimet më të bukura dhe të egra që skuadra jonë organizon në Berat të cilat i sygjerojmë për të gjithë turistët të cilët janë në kërkim të një eksperience unike.

Mos e lini pa e parë pasi ka pamje dhe intervista shumë interesante.

Mali i Tomorithttps://www.youtube.com/watch?v=QJ-bfhzTMms

Një ndër malet më të larta në Shqipëri dhe më i larti në Shqipërinë e Jugut me 2416 metra në Çukën Partizan. Ai si një “mal mbretëror, si një Sokrat madhështor” (Eduard Lir), të tërheq dhe të bën për vete me pamjen e tij vetmitare si një luan i shtrirë kur e sheh nga qyteti i Beratit, por dhe të mahnit kur shikon me sy të lirë nga majat e tij në të gjitha anët, madje deri larg në detin Adriatik, pa asnjë pengesë. Me  një gjatësi prej më shumë se 22 km nga veriperëndimi në juglindje dhe me një gjerësi nga 2 deri në 4,5 km ti ndodhesh përpara një parku të vërtetë kombëtar me kafshë dhe bimë të shumëllojshme, të cilat po i ripopullojnë sot pyjet e shumta, shkrepat dhe livadhet që i gjen kudo. Një udhëtim më këmbë apo hipur mbi kuaj e mushka, shoqëruar nga udhërrëfyes vendas, do të japë mundësi të shkosh dhe të shikosh nga afër kullota të bukura alpine, bimë dhe lule mjekësore e aromatike,livadhe të bukura, maja të thepisura e të frikshme shkëmbore, humnera të thella, burime uji të kulluar si kristali, mund të qëllojë të ndodhesh nën stuhi të papritura dhe rrebeshe shiu apo dëbore edhe kur je në mes të të nxehtit të verës që aty e ndien si një freski të këndshme dhe gjallëruese.

Por Mali i Tomorit, si asnjë mal tjetër në Shqipëri, nderohet dhe respektohet që nga kohët më të lashta si mali ku qëndronin perënditë pellazge-ilire, prandaj ai, si shtëpia e perëndive, thirret dhe njihet si Mal i Shenjtë, si një mal që ka fuqi të mbinatyrshme, vendi i Baba Tomorit. Pellazgët, ilirët dhe shqiptarët kanë pasur dhe kanë aty perënditë dhe shenjtorët e tyre.

Kanioni i Osumit

Në qoftë se jeni të dhënë pas aventurave të guximshme, por edhe të bukura e krejtësisht të veçanta, një udhëtim në Kanioni i Osumit do t’ua përmbushte të gjitha dëshirat tuaja. Ky kanion, i njohur ndryshe si kanioni më i madh lumor në Shqipëri apo Kolorado e Shqipërisë, ka një pamje nga më mbresëlënëset në Ballkan dhe në Europë. I krijuar 2-3 milionë vjet më parë nga gërryerjet e vazhdueshme të rrjedhës së ujit mbi shkëmbinjtë gëlqerorë, ai ka një gjatësi rreth 20 km, me një gjerësi që shkon nga 4 deri në 35 metra. Të dy shpatet shkëmbore të kanionit ngrihen rreth 70-80 metra mbi rrjedhën e lumit dhe kanë një bukuri befasuese, së cilës, duke i shtuar gjelbërimin e harlisur përreth, kaltërsinë e qiellit, ndriçimin e diellit, stërkalat që vende-vende krijojnë reflekse të ylberit në disa ujëvara, freskinë dhe murmurimën e vazhduar të ujit e bëjnë atë të veçantë, ndërsa një soditje nga lart të jep një pamje tjetër jashtëzakonisht të bukur dhe me mbresa që nuk shuhen kollaj. I gjithë kanioni, duke kaluar nëpër ngushtica të tilla si Katedralja (sepse uji në shekuj e ka gërryer shkëmbin në atë mënyrë sa të duket sikur je përpara një katedraleje të hapur), Syri, Porta e djallit etj., i plotëson dëshirat e të gjithë të pasionuarve pas shëtitjeve, eksplorimeve, larjes në lumë, lundrimit me kanoe, me kajakë apo me gomone, por edhe më këmbë dhe me not.