Ne 29 mars 2026, u organizua për herë të 10-të në Shqipëri dhe për herë të 3-të në qytetin e Përmetit, Kampionati Kombëtar i Rafting 2026.
Ai u mbajt menjëherë pas përmbylljes me sukses të trajnimeve që Federata Shqiptare e Rafting organizoi për guidat e reja të rafting.
Kreu i Federatës Shqiptare të Rafting, Zamo Spathara, u shpreh se këtë vit risi ishte fakti që në garë morën pjesë jo vetëm sportistë shqiptarë, por edhe nga Europa, duke treguar se sporti i rafting bashkon njerëzit pa dallim gjuhe, feje apo gjinie.
Një tjetër risi ishte pjesëmarrja e lartë e vajzave, të cilat këtë vit ishin tri herë më të shumta në numër krahasuar me vitin e kaluar.
Sigurisht, Bashkia Përmet është një mikpritëse fantastike dhe Kryetarja e Bashkisë, znj. Alma Hoxha, ishte e ftuar nderi për të ndarë çmimin e parë.

Z. Spathara u shpreh se çdo vit sporti turistik i rafting tërheq mijëra turistë në qytetet dhe fshatrat përreth lumit Vjosa, Kanionit të Osumit, lumit Drini i Zi, Shkumbinit, Bistricës, Drinos, Bencës etj., duke sjellë të ardhura për të gjithë komunitetin, duke filluar nga guidat, hotelet, restorantet, supermarketet, dyqanet e artizanëve, pikat e karburantit etj. Sot, rafting është shtylla kryesore e turizmit të aventurës në Shqipëri.
Trajnimet janë shumë të rëndësishme që ky sport, në radhë të parë, të jetë i sigurt, pa asnjë aksident gjatë sezonit turistik dhe me standarde të larta, duke i dhënë rëndësi pastërtisë së lumenjve dhe cilësisë së shërbimit.

Spathara shtoi se guidat ekzistuese përshëndetën guidat e reja në lumë dhe të gjithë u takuan në kampionatin përfundimtar, ku morën pjesë edhe një ekip hungarez dhe një anglez. Guidat e Vjosës tashmë janë bërë një komunitet i madh. Në vitet e ardhshme do të ketë jo vetëm kurse për kandidatët e rinj, por edhe kurse rifreskimi për guidat ekzistuese, të cilat duhet të mësojnë teknika të reja dhe të thellojnë njohuritë e tyre në këtë fushë.

Vendin e parë e fitoi skuadra nga Hungaria me kapiten Adam Tabori dhe sportistët Lili Kurucz, Gabor Leitner dhe Beni Mahler.
Vendin e dytë e mori skuadra Albania Rafting Group me kapiten Ali Spathara dhe sportistët Alastair Darke, Hannah Brown, Shawn Lim, Iain Findlay dhe Katie Cox.
Vendin e tretë e fitoi skuadra Nemercka Rafting me kapiten Selim Ibrahimi dhe sportistët Jonas Ibrahimi, Andi Bektashi dhe Saverio Marino.

Skuadra Dibra Rafting përfaqësoi denjësisht lumin Drini i Zi me kapiten Besjan Zhuta dhe sportistët Erdi Sava, Arli Sava dhe Gersi Krrashi.
Ndërkohë, skuadra “Shkumbini” e Albania Sport Tourism garoi me një ekip të dominuar nga vajzat, duke treguar se të jesh guide rafting kërkon teknikë dhe trajnim, dhe jo forcë fizike mashkullore. Ekipi garoi me sukses me kapitene Kristina Bilbili dhe sportistët Xhesara Kusi, Julian Ziu dhe Rezart Çerri.

Kompania Rafting Vjosa Albania u përfaqësua me sportistë me teknikë shumë të mirë, me kapiten Eraldi Jaupi dhe sportistët Klevis Xhoga, Mateo Mucenji dhe Geri Milo.
Skuadra e Albturist u përfaqësua nga kapiten Robert Tabaku.

Skuadra e lumit Osum nga Albania Rafting u perfaqesua nga Kapiten Kevi Jaupaj
Skuadra e Bistrices nga Ari Koxhaku .
Trajnerët ndërkombëtarë, të cilët ishin edhe arbitrat e kampionatit, Roy Gergely dhe tekniku i kombëtares së rafting Andrea Gatti, u shprehën se çdo vit guidat e rafting janë më të përgatitura teknikisht, çka tregon se sporti i rafting në Shqipëri ka arritur standarde europiane dhe niveli i sigurisë është përmirësuar ndjeshëm.

Andrea Gatti, teknik prej më shumë se dy dekadash i kombëtares së rafting, u shpreh:
“Është bërë traditë që çdo vit, dy javët e trajnimit të kulmojnë me kampionatin e rafting. Kampionati është tashmë një aktivitet i rregullt. Viti 2025 pati një pjesëmarrje shumë të lartë të guidave, disa duke punuar për kompani ekzistuese, të tjerë duke hapur të tyret, duke zgjeruar ofertën për turistët. Në vitin 2026, numri i pjesëmarrësve u stabilizua, gjë që lejoi një rotacion më të madh gjatë kursit dhe një trajnim më të plotë. Raftingu në Vjosë është tashmë një realitet shumë i qëndrueshëm dhe krijimi i Parkut Kombëtar Vjosa kërkon gjithnjë e më shumë vëmendje, kujdes dhe respekt për standardet e shërbimit.”

Zëvendëspresidenti i FSHR, Sokol Sava, u shpreh:
“Sot festojmë një dekadë të Kampionatit Kombëtar të Rafting, një histori që nisi 10 vite më parë në Berat. Falë pasionit dhe vizionit të Zamo Spatharës, rafting u kthye në një motor të fuqishëm për promovimin e turizmit të aventurës në Shqipëri.
Vitet e fundit (2024–2026), vëmendja jonë është përqendruar në lumin e fundit të egër në Europë, Vjosën. Përmeti, ‘Qyteti i Luleve’, ka qenë një mikpritës i shkëlqyer, duke dëshmuar se sportet ujore janë pasuri kombëtare.
Synimi ynë është zgjerimi i kësaj harte dhe shpresojmë që në vitet e ardhshme kampionati të zhvillohet edhe në lumin Drini i Zi, duke gjallëruar turizmin në Peshkopi dhe duke e bërë rafting një traditë që bashkon gjithë Shqipërinë.”

Le të jetë Kampionati Kombëtar i Rafting 2026 një ogur i mbarë për guidat dhe për turizmin e aventurës në vitin 2026.
Suksese dhe një sezon të mbarë turistik!









